“Sot bëhet humor interneti, kanë rrënuar estradat”, kur kritikonte Fadil Hasa

Rolet e tij duket se kanë shenjuar historinë e humorit në Shqipëri, atij humori të pastër, i cili të bën të qeshësh me gjithë shpirt. Është aktori i mirënjohur i humorit Fadil Hasa, i cili me dhjetëra personazhe që ka sjellë me numrat e humorit ka marrë shumë vlerësime nga publiku. Gjatë viteve që ai ka qenë pranë Estradës së Durrësit, ajo ishte një kohë e artë në jetën artistike.

Në intervistën dhënë për gazetën, aktori i njohur për këtë situatë bën përgjegjës shtetin dhe bashkitë, që kurrë nuk patën në vëmendjen trupat e estradës. Jo pak kritika aktori i njohur i humorit ka dhe për humorin e ditëve të sotme, që sipas tij nuk përcjell tamam problematikën që kërkon publiku. Në vitin 1974, aktori Fadil Hasa hyn në Estradën e Durrësit si një aktor profesionist, ndonëse ashtu sikurse pohon edhe vetë, fillimi ishte pak i vështirë.

Pjesa “Dajrja”, krah kolegut Muharrem Hoxha, mbetet e paharruar, e po kështu edhe të tjera pjesë, si “Sheqeri”, “Tekniku i lavatriçes”, apo copëza humori, të cilat shfaqeshin për natën e fundvitit në ekranin e Televizionit Publik Shqiptar, mbeten edhe sot, si perla të humorit shqiptar. Ka luajtur edhe në filma si : Kronikë provinciale (2009), Mao Ce Dun (2007) roli i Hekuran Romalinit dhe Zëvendësi i grave (1987) roli i Shabanit. Në edicionin e 13 të Festivalit Mbarëkombëtar të filmit, aktorit Fadil Hasa ju dha çmimi i Aktorit më të Mirë, për rolin e luajtur në filmin “Mao Ce Dun”.

-Thatë që ka humbur interesi për humorin, artin, çfarë mund të na thoni sot mbi gjendjen e estradave shqiptare, ato trupa artistike që kanë mbetur? Gjendja e estradave me atë që unë konstatoj në qytetin tim të Durrësit, por kështu është në të gjithë Shqipërinë është e rrënuar, përderisa prej tyre shteti është tërhequr, i ka lënë në dorë të bashkive. Ky është gabim i madh për mua, sepse është tjetër interes, bëhen shfaqje nëpër teatro, bëhen në sheshe ku nuk merret vesh asgjë, dhe kur ke një projekt estrade thonë që kanë mbaruar lekët.

Kjo më duket se është sëmu ndje e të gjithë estradave që janë sot. Unë nuk e di se kush është sot në trupën e Durrësit, por edhe ata që mund të jenë vijnë dhe marrin një rrogë qesharake, bëjnë ndonjë punë të dytë, sepse e kanë nevojë familjare, ndaj nuk janë më ato estrada si dikur, siç ju thashë ka humbur interesi që ka qenë. Në kaq vite nuk u pa asnjë projekt në favor të trupave të estradave në vendin tonë.

Në përgjithësi arti jo vetëm në vendin tonë, por dhe në shtete të tjera është defiçitar, nuk i mbulon shpenzimet e veta. Ministria e Kulturës, bashkitë kanë fonde të vogla, dhe janë përgjysmuar trupat e estradave, kanë mbetur me 2 apo 3 vetë, kur për të bërë një shfaqje të bukur me estradën duhen të paktën të jenë 20 veta si trupë artistike, përfshirë dhe këngëtarët, etj.

-Si e kujtoni humorin kur këto trupa artistike ishin me shumë shfaqje, programe të pasura dhe shumë publik? Para ’90 interesi i atij shteti që ekzistonte ishte për ta shfrytëzuar për interesa politike të vetat artin, por gjithsesi kishte një interes jashtëzakonisht të madh, kishte kujdes të madh. Në këto 23 vjet unë kam konstatuar, ndoshta e kam gabim, por ne shqiptarët e duam një njeri më të zgjuar mbi kokë.

Ne duhet të kemi një më të zgjuar se sa vetja për të bërë diçka të bukur, por po na le të lirë ne nuk dimë të bëjmë gjë. Edhe sot të lirë jemi. Unë nuk jam nihilist, janë bërë gjëra të bukura por jo sa përpara viteve ’90 në art. Arti ka pasur vëmendje të madhe, dhe janë bërë gjëra që nuk i fshin dot historia.

-Sot nuk ka më estrada si dikur, megjithatë humori edhe pse shumë më pak nuk mungon. Si është në nivelin e tij artistik humori sot që shfaqet në televizione të ndryshme? Sot bëhet humor interneti, dhe nuk më pëlqen, por dhe këtu ka një ndarje. Djemtë dhe vajzat e reja janë jashtëzakonisht të talentuar në interpretim, por brumi, materiali i humorit ka probleme. Mund të shikojmë një shfaqje një orë e gjysmë, dhe nesër nuk kujton asgjë, sepse nuk janë ato probleme nga hallet e mëdha që ka populli sot.

Tre minuta është një numër humori dhe nuk mund të zbërthesh të gjithë problemin, por të paktën ti prekësh problemet që të thonë bravo. Ne sot rrimë në rradhë dhe për të bërë një pashaportë, na del shpirti në radhë për të paguar një taksë makine, etj, këto janë probleme që has shqiptari, që thotë i lumtë goja atij Fadil Hasës, që e preku këtë temë për humorin, por sot tema të tilla nuk ekzistojnë.

 

Editor

Read Previous

“Mbaroi filmin dhe u largua”, Ndriçim Xhepa zbulon telefonatën e fundit me Xhuvanin

Read Next

Vde kja e dhimbshme me të bijen, Anita Bitri një “Migjen” i muzikës sonë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *