Shembja e teatrit dhe amaneti i Naim Frasherit, e zbulon miku i tij

ANILA DEDAJ/ Pulsin e Teatrit e ka ndier në çdo cep të tij. Ka përjetuar emocionet e zemrave që rrahin pas kuintave, atyre në skenë e mes publikut në sallë. Në biletari, oborr, për çdo lozhë, kabinë etj., ka një histori për të rrëfyer. Shkëlqim Basha, i njohur si “Arturo Ui” shqiptar, e me mbi 70 role në Teatrin Kombëtar e dhjetëra role në kinematografi, e ka të pamundur të besojë se kur të rrëfejë historinë e këtij tempulli kulture, një ditë mund të thotë: E shembën.

“Kjo do të ishte një njollë e madhe, të cilën s’ka teatër modern a gjigant që ta shlyejë”, thotë aktori. Edhe pse prej vitesh jeton në Itali, përmes artit ka mbështetur gjatë kësaj kohe miqtë e kolegët e tij. Idealistët si Edmond Budina, që siç thotë, mendojnë për perspektivën e Tiranës dhe brezat që do vijnë. “Artistët me të cilët unë solidarizohem, janë ata që e kanë jetuar atë Teatër, që kanë një vizion për ruajtjen e vlerave të trashëgimisë, por njëherazi edhe për ruajtjen e kujtimeve që lidhen me një brez aktorësh që sot nuk jetojnë më, por që janë themeluesit e Teatrit”, thotë Basha për “Panoramën”.

Zoti Basha, keni luajtur dhjetëra role në Teatrin Kombëtar, çfarë ju mungon më shumë prej asaj skene? Kam qenë 7-8 vjeç, kur kureshtja më brente për të parë shfaqjet. Qëndronim në radhë në përpjekje për të gjetur dikë për të na shoqëruar. Këmbëngulnim e u thoshim: Na merr për dore e thuaj se jam fëmija yt, deri sa ia dilnim mbanë. Sa shumë kujtime në ato ambiente të ngrohta, që më vijnë gati si në ëndërr.

Mbaj mend kur u dha shfaqja “Dhelpra dhe rrushtë” e Mihallaq Luarasit, me aktorë të njohur si Margarita Xhepa, Esma Agolli, Kadri Roshi, Lazër Filipi, Mario Ashiku etj.. E kam ndjekur atë shfaqje mbi 20 herë dhe sa herë që është vënë në skenë, salla ka qenë plot. Ishte një vepër që fliste në mënyrë të sofistikuar për lirinë, që të mos krijoheshin paralelizma evidentë me diktaturën dhe jetën e përditshme, ku liria ishte e cunguar. Mirëpo, nëntekstet e saj për skllavërinë të çonin atje. Mandej kujtoj kabinat e vogla të aktorëve.

Unë pata rastin të jem në një kabinë me Sulejman Pitarkën e më vonë me Robert Ndrenikën. Mbaj mend aktorë të vjetër e të rinj se sa kompakt ishin. Rrinin e bisedonin ne fuajenë, që ishte si një vetëqëndrim edhe gjatë shfaqjeve, në pauzat që ndanin njërin akt nga tjetri. Ne të rinjtë përftonim nga rrëfimet e më të mëdhenjve, edhe për të mësuar, por njëherazi për të shuar kureshtjen. Ata na tregonin çfarë kishin kaluar, shfaqjet që kishin realizuar… Na tregonin teatrin në Teatër.

Përmes artit, ju e keni bërë të ditur qëndrimin tuaj lidhur me kauzën e Teatrit Kombëtar. Çfarë ju nxit të pozicionoheni në krah të kolegëve tuaj, që e mbrojnë atë godinë? Solidarizohem plotësisht me protestën e artistëve dhe dashamirësve të tjerë të Teatrit, qofshin ata qytetarë të thjeshtë apo personalitete të fushave të ndryshme. I mbështes ata, pasi jam për restaurimin e Teatrit, duke ruajtur arkitekturën që ai ka. Duke u bërë kjo, ruhen vlera të mëdha kulturore, historike, por edhe arkitektonike.

Artistët me të cilët unë solidarizohem, janë ata që e kanë jetuar atë Teatër, që kanë një vizion për ruajtjen e vlerave të trashëgimisë, por njëherazi edhe për ruajtjen e kujtimeve që lidhen me një brez aktorësh që sot nuk jetojnë më, por që janë themeluesit e Teatrit. Unë kam pasur fatin të jem ndër aktorët që kam luajtur në atë Teatër. Kam interpretuar me plejadën e aktorëve të vjetër dhe ato janë kujtime të pashlyeshme, jo vetëm në aspektin subjektiv, por edhe objektiv. Ata njerëz që themeluan Teatrin kanë të drejtën të mbijetojnë përmes kujtesës, në atmosferën e kësaj godine.

Keni interpretuar në krah të emrave si Kadri Roshi, Lazër Filipi, Sulejman Pitarka etj.. Është përmendur së fundmi fakti se plejada e vjetër e aktorëve ka kërkuar një Teatër të ri, në po atë territor. Cili ka qenë realisht qëndrimi i atyre aktorëve lidhur me këtë çështje? Unë kam biseduar disa herë me Naim Frashërin, një ndër aktorët themelues të Teatrit, fjala e të cilit kishte peshë, pasi ishte mjaft i dëgjuar edhe nga qeveria e asaj kohe.

Naimi ka kërkuar ndërtimin e një teatri të ri dhe ka bërë çmos që kjo të arrihej, por jo duke prishur teatrin e vjetër. Madje, kujtoj se më ka thënë këto fjalë: Unë ndoshta teatrin e ri nuk do ta gëzoj, por ti dhe gjenerata jote, me siguri që po. Fakt është se një teatër i ri nuk është bërë as tani që unë jam në pension dhe në një moshë shumë më të madhe se ç’ishte Naimi kur m’i tha ato fjalë.

Editor

Read Previous

Kadare, gjeni i librave dhe filmave. Elvira Diamanti u frikësua nga pyetja e tij

Read Next

Filmi shqiptar qe nuk u publikua kurre, luanin Kadri Roshi, Drita Pelinku, Reshat Arbana, Rikard Larja, etj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *