Regjisori Kumbaro: Më detyruan të rixhiroj se “i vesha” Robert Ndrenikës kasketën e Enver Hoxhës

ALMA MILE/ Kur kthehet pas në kohë dhe i kujtohen ato vite, ai qesh me “mendjelehtësinë” dhe guximin e të riut. Rrezi konte pa e menduar se cilat do të ishin pasojat. Saimir Kumbaro është një nga regjisorët më të mirë shqiptarë. Filmat e tij shquhen për mënyrën e skalitjes së karaktereve dhe për një humor fin, batuta të gjetura, që i kanë rezistuar kohës.

Tanimë u bënë vite që nuk realizon filma. Nuk është edhe aq e thjeshtë. Brezi i tij, pak e gjen veten në politikat e reja të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë. Projekte ka gjithnjë në duar, sepse siç thotë ai “më mirë të punoj kot, se sa të rri kot”. E aq më tepër ai nuk mjaftohet me lavdinë e para ’90-s, edhe pse ka arritur të realizojë filma që do t’i mbeten historisë së filmit shqiptar. Kur kanë kaluar 35 vjet që atëherë, regjisori kujton filmin “Nxënësit e klasës sime”, një tjetër bashkëpunim me skenaristin e ndjerë Kiço Blushi.

Një film mbi një temë të ditës, që lidhej me problemet e rinisë, por edhe fiktivitetin dhe ndërhyrjet e pushtetit nëpër shkolla. Në dukje një film i lehtë social, por që nuk kaloi pa andralla. Pasi përfundoi realizimi i filmit, komision pas komisioni, trupa u detyrua të kthehej sërish në sheshxhirim. Arsyeja mund të duket banale dhe qesharake sot: Saimir Kumbaro i kishte vënë në kokë personazhit të tij, shokut Kristofor, një kasketë, si ajo që mbante Enver Hoxha.

Një element që jo vetëm nuk kaloi pa u vënë re, por e detyroi regjisorin të priste dhe të rixhironte të gjitha ato skena ku Robert Ndrenika shfaqej me kasketë. Këto dhe të tjera prapaskena, Kumbaro i tregon për gazetën “Panorama”. Në vitin 1984 ju keni realizuar filmin “Nxënësit e klasës sime”, që trajtonte një temë dite, por edhe me ca nëntekste politike. Si lindi ky projekt?

Pas disa filmave, si “Koncert në vitin ‘36″ në bashkëpunim me Kiço Blushin dhe “Gëzhoja e vjetër” me Neshat Tozajn, në vitin 1984 më ofrohet një skenar i ri. Një skenar me autor Kiço Blushin, me temë rinore, sociale, për problemet e rinisë, me dallaveret dhe ryshfetet e asaj kohe. Edhe atëherë kishte të tilla, por sot ndihen më shumë.

Zgjodha një kast aktorësh që nuk kishin luajtur nëpër filma, me përjashtim të Mirush Kabashit, Mira Gjatës dhe Bert Ndrenikës. Këta ishin aktorë të mitë të preferuar. Në të tilla raste zgjidhej edhe vendi ku do të xhirohej. Kushtet ishin shumë të mira, gjithçka po shkonte mjaft mirë, zhvilluam xhirimet dhe erdhëm në Tiranë.

Si u prit filmi? Pikërisht tani fillonte sita. Faza e parë ishte ajo e Këshillit Artistik. E pëlqyen. Madje, më kujtohet Kiço Blushi, përmendi një shprehje të Ramiz Alisë: “Të këndon ekrani”. Sigurisht që unë e kuptova, por i them: Kiço, nuk është film muzikor ky. “Po ta them në mënyrë figurative”, më tha. Hallka e parë kaloi. Ishte radha e kolektivit. Salla u mbush plot, por ndërkohë filluan ca lëvizje, të kruara zërash… s’po ndiheshin rehat. Pas përfundimit, më thërrasin në redaksi e më thonë: “Dëgjo, filmi është i mirë, trajtohet mirë tema e ditës, tema sociale, por ti, përfaqësuesit të pushtetit i ke vënë kapelën e shokut Enver – kasketën”.

Ç’ju shkrepi në mendje t’i vinit kasketën e udhëheqësit, personazhit tuaj? Ishte spartakiada në atë kohë, kur shoku Enver na u shfaq me një kasketë ngjyrë kaki. Ashtu e mendoi ai në atë kohë, të ndërronte lukun. Kur e pashë, thashë me vete, përse të mos ia vë dhe unë Bert Ndrenikës?! Po ta mendosh sot, ishte mendim prej mendjelehti. Ia vë kasketën Bertit. Por nuk ishte vetëm kjo. Unë “pushtetin” e ngjis dhe e rrëzoj nga shkallët dhe ai thyen krahun. I vetmi që e kapi këtë element, ishte Kujtim Çashku, djalë inteligjent: “E ke thyer pushtetin,- më tha. – I ke krisur dorën”. “Jo mo,- i thashë,- vetëm sa e kam lënduar pak”.

Kush reagoi nga kolektivi? Ishin kolegë të mitë, të cilët unë i çmoja. Nuk duhet të kishin reaguar në atë mënyrë, sepse në atë kohë këto gjëra ishin me shumë zarar. Po ju akoma nuk kishit kaluar provën më të vështirë, me përfaqësuesit e Komitetit Qendror…? Fill pas saj erdhën përfaqësuesit e Komitetit Qendror, një tjetër hallkë. “Ç’është kjo kasketë që i ke vënë personazhit negativ?”, më thanë. “Nuk është personazh negativ,- u thashë,- ka ca shfaqje të huaja, por nuk është i tillë”. “Mirë, atëherë, do t’ia heqësh atë kasketë”. Unë e kuptova se ç’do të thoshte: Shko dhe rixhiro! Njeriu që ngulte më shumë këmbë për heqjen e kasketës ishte Anastas Kondo, zëvendësministër në atë kohë.

Më tolerant ishte Alfred Uçi. “Po, le ta lëmë, s’prish punë”,- tha. Po kasketa do hiqej se s’bën. Pavarësisht rezistencës, pashë ç’pashë, mblodha sërish grupin dhe u nisëm për në Sarandë. Këtë herë morëm një “gërshërë” të madhe, duke ribërë skena të tjera. E sheqerosëm, me pak fjalë.

Çfarë ndodhi me filmin më tej? Filmin e ribëmë pa kasketë. U shfaq në prag të Vitit të Ri, në Kinostudio. Por ndodhi diçka që më hidhëroi pa masë, më la një shije shumë të keqe. Në mes të shfaqjes vjen drejtori i Kinostudios bashkë me Dritëro Agollin dhe Kujtim Çashkun, me një tabor tjetër nga pas, që kishin ardhur për të parë filmin “Dora e ngrohtë”, që në atë kohë kishte bërë shumë zhurmë, i ishte bërë shumë propagandë.

Ma prenë filmin në mes. Nuk ka gjë më të rëndë për një autor kur ia lënë filmin përgjysmë për të parë diçka tjetër. U mërzita shumë, aq më tepër që edhe Dritëroi, edhe drejtori i Kinostudios, Vangjush Zallëmi, kishin ardhur çakërrqejf. Nuk do ta harroj gjithë jetën. Ishte një sjellje tipike despotike.

Si reaguat? Ishte një punë me bela ajo. Në këtë rast, Kiço Blushi më ka mbrojtur. Ai ishte edhe Sekretar Partie dhe tha që “nuk duhet t’i japim kaq shumë rëndësi kësaj. Këto janë gjëra që riparohen”. Ai e mbrojti filmin. Më pas, filmi pati udhën e vet.

Editor

Read Previous

“U trondita dhe qava shumë në burg” Marjeta Ljarja zbërthen “Vajzat me kordele të kuqe”

Read Next

Bujar Kapexhiu: Ju tregoj pse me cuan per riedukim, takimet e mia me Enverin dhe Mehmetin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *