Prapaskenat e “14 vjeç dhëndërr”, Elvira Diamanti kujton momentet pikante me Hajrie Rondon

Për herë të parë e kam takuar Hajrie Rondon në Himarë, atje ku ndërroi jetë disa ditë më parë. Atëherë ishte e shëndetshme, sëmu ndja nuk ia kishte tjetërsuar ende fizikun. Ishte duke pritur përgjatë rrugës që të çon për në plazhin e Livadhës, për një makinë të rastit që mund ta linte në qendër të Himarës.

Duhet të ketë qenë pasdite vonë, sepse ne ishim duke u kthyer nga plazhi, kur një nga njerëzit që ishin në makinë thirri: Ua, ndaloni, Marigoja! Kthyem kokën për të parë Elvira Diamantin, por 15 vitet e fundit në Amerikë e kishin bërë vajzën që e dalloi, të ndryshonte ca të dhëna të njësisë. Hajria na u bashkua në makinë e buzëqeshur, pastaj qeshi fort, kur i treguam që ishim ndalur për Diamantin.

Na tregoi se jetonte aty prej kohësh, në Tiranë vinte pak. Kishin rregulluar shtëpinë e të shoqit dhe shijonin qetësinë e vendit të tij, edhe në kohën kur s’dëgjoheshin më zhurmat e pushuesve. Hajria ndaloi afër pallatit ku do të shkonte për vizitë, duke na thënë disa herë që të shkonim ta shihnim në shtëpi, nëse do mundeshim, në ditët në vazhdim.

Nuk e kisha kujtuar më këtë ngjarje deri ditën që lexova se aktorja kishte vde kur në Himarë. E kujtova të buzëqeshur, të qetë, mbase edhe pak të lodhur, ashtu siç janë njerëzit në plazh pasditeve. Mund të jetë drita e perëndimit që krijon një shprehi gati identike te të gjitha portretet. Ashtu duhet të jetë larguar Hajria, sado që sëmundja ia lëkundi të qeshurën disa herë, në vitet e fundit.

Ditën e fundit të jetës, ajo nuk e priti perëndimin, u largua në mesditë, që mos t’i ndryshonte ngjyrat e orës më të bukur të ditës. Mbase për shkak të roleve në komedi, Hajries sikur i ishin krijuar disa rrudha të forta përreth gojës që, me gjithë shumë të tjerat që iu shtuan pasi humbi peshë, dalloheshin po aq, sepse njësoj si rrudhat që t’i shkruan dielli, asaj ia kishin lënë shenjë rolet.

Mes të shumtëve, këdo që të pyesësh, të parin do të përmendin “Përrallë nga e kaluara”. Aty, Hajria vetë ishte ca e sertë, por te të tjerët ka shkaktuar vetëm të qeshura. Edhe pse ne nuk i kemi parë, kanë qeshur të gjithë, ajo vetë dhe kolegët e saj, edhe në sheshxhirim.

Sa herë ndërpriteshin xhirimet vetëm e vetëm sepse e qeshura e Hajrie Rondos dhe Elvira Diamantit nuk mund të ndalej! Disa nga episodet e 30 viteve më parë, ndërsa xhironin përrallën që u bë e të gjitha kohërave, në Gjirokastër, na tregon sot, në kujtim të koleges së tyre, Margioja, Elvira Diamanti dhe Gjinoja, Admir Sorra.

Ata që në film ishin nusja dhe i biri. U përpoqëm të lidheshim edhe me partnerin e saj në rol, aktorin Robert Ndrenikën, por, siç ishte e pritshme, nuk arritëm të marrim asgjë. Nuk po e përdorim edhe atë fjali të copëzuar që u shkrua online, meqenëse vetëm me pak kërkim arrije të kuptoje që nuk ishin të shkruara prej aktorit. Po mjaftohemi me kujtimet që ndanë me ne kolegët e tij, e që e përfshijnë edhe atë.

Elvira Diamanti për Hajrie Rondon –  Aq sa ç’ishte konfliktuale në film, aq e bukur ka qenë marrëdhënia e aktores Elvira Diamanti me Hajrie Rondon, gjatë xhirimeve të komedisë me regji të Dhimitër Anagnostit, “Përrallë nga e kaluara”. Marigosë iu desh të martohej në film, ndërsa Elvira sapo ishte fejuar në jetë.

I jetoi paralelisht si të reja të dyja këto rrethana. Sigurisht, me Hajrien kishte mundësi edhe të qeshte, sepse fundja e kishte kolege, ndërsa me vjehrrën e vërtetë nuk mund të sillej njësoj. Megjithatë, përtej të gjitha kujtimeve me të cilat Elvira nuk është edhe aq e fortë, edhe po të mos ishin 30 vitet që janë në mes, kur i kërkojmë të na tregojë ngjarje të jetuara me kolegen, Elvira nuk e shmang dot keqardhjen.

Njësoj si ajo, të gjithë ne e kemi humbur marrëdhënien e dikurshme që kishin njerëzit. Punët, jeta, ritmi e gjithë thuajse marrëzia nëpër të cilën po jetojmë, na kanë ndarë! Duhet të ndodhin gjëra të pakthyeshme që të përmendemi, por nuk mund të bëjmë më asgjë.

Për këtë kërkon falje aktorja Elvira Diamanti. I kërkon falje Hajries për mungesën e vëmendjes por, mbi të gjitha, i tërheq vëmendjen vetes dhe lëshon një zë në shoqëri për t’u bërë më njerëzorë. Megjithatë, sot do ta kujtojmë Hajrie Rondon të qeshur, siç e kemi parë dhe për këtë na ndihmon edhe Elvira.

“Me Hajrie Rondon u takuam për herë të parë në hollin e hotelit më të madh të Gjirokastrës, disa ditë përpara se të fillonim xhirimet ne rrethinat e saj. Ishte një kontakt i parë, por menjëherë, pa kaluar ende ora e parë, më dukej se e njihja prej kohësh.

Hajria kishte një karakter të përmbajtur, por të hapur e dashamirës ndaj të gjithëve. Qëlloi që unë sapo isha fejuar dhe rrija në shtëpinë e prindërve të Drinit, duke u njohur më nga afër për herë të parë me vjehrrën time reale. Ndërsa në sheshxhirim rrija më shumë nga të gjithë me Hajrien. Kështu, papritur, u bëra me dy vjehrra njëkohësisht. Shpesh, shumë shpesh, qeshnim edhe me këtë fakt. Duke qenë një aktore e talentuar dhe me origjine nga Jugu, roli i Tanës dukej i shkruar për të.

Në një nga shtëpitë e Gjirokastrës, e cila është në film shtëpia e Gjinos, po xhirohej skena ku Tana (Hajria pra) bëhet xheloze për një marrëdhënie të supozuar të Marigosë me vjehrrin e saj. Po xhirohej Hajria në plan bust, duke thënë: Laji mirë! Që kur ke ardhur ti, na mbyti pisllëku. Unë isha paralel me kamerën, sepse sytë e Hajries duhej të më shihnin mua. Ishte perfekte, që në dublën e parë, dhe unë shpërtheva në të qeshura, sapo u dëgjua fjala “Stop”, që nënkuptonte fundin e dublës.

Për kënaqësinë time, por edhe të grupit, Anagnosti xhiroi disa dubla, të cilat ishin gjithmonë e më të mira, derisa në dublin e fundit, sikur ta kishim bërë me fjalë të gjithë, shpërthyem në të qeshura e duartrokitje. Kështu e mbaj mend Hajrien, Tanë e vërtetë në xhirim dhe një grua të dashur dhe shoqe e mirë jashtë kamerës. Mund të them që gjatë gjithë xhirimeve, në skenat e saj me Robert Ndrenikën, kishte gjithmonë gaz, e megjithatë ajo pyeste gjithmonë: Isha mirë? Vërtet? Mos të bëj dubël tjetër? Një artiste e vërtetë! Një grua e papërtuar edhe për të të ndihmuar.

E kam të vështirë të flas për të, duke ditur që ajo nuk është më. Kam edhe një ndjenjë faji që nuk më lë të qetë prej ditësh. Çfarë po ndodh me jetët tona kur nuk arrijmë të gjejmë kurrë kohë për t’iu kushtuar miqve, kolegëve, problemeve të njerëzve që dikur kemi ndarë një pjesë të jetës, qoftë edhe për disa muaj? Unë sot nuk mund të ndreq asgjë, të paktën lidhur me ty Hajrie, por të kërkoj falje!”

 

Editor

Read Previous

Kujtimet e Ilir Bezhanit me Mërgur Bozgon në rolin e Jovan Bregut

Read Next

“Ermal Mamaqi dhe Bes Kallaku janë sharlatanë, si viru se”, Alfred Trebicka reagon ashpër

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *