Enver Hoxha dha miratimin e tij, Viktor Gjika nuk i mori vajzën në film

Nga Leonard Veizi -Në një kërkim të pareshtur, të përhershëm, lodhës a terrorizues ndoshta, duhej gjetur gjithçka e munguar deri në atë çast, por gjithsesi imagjinuar apo supozuar gati deri në një ekstrem të paperceptueshëm. E pas kësaj, që në përballjen e parë dukej thuajse absurde, duhej marrë në analizë çdo detaj i anashkaluar, paralele në një strukturë asimetrike, portret më i thellë në përmbajtje apo më i mprehtë vështrimi, në një lojë pa zë a pantonimik.

Por ndodhte, që gjithçka e cila dukej gati e pamundur, bëhej krejt më e thjeshtë se kaq, pikërisht atëherë kur shpresat ishin zhbërë dhe ambientimi me absurdin kishte krijuar një konfort të ri. Pikërisht atëherë, gjithçka shprishej dhe padyshim ajo që deri në atë çast ishte cilësuar vetëm si “e supozuar” papritur kishte marrë një vlerë konkrete e reale, pikërisht aty, në celulozë, ose pak më tej, në një fytyrë njerëzore që priste me ankth fundin e gjithçkaje, në duhej ta kalonte pragun, a të mbeste përtej… Alma.

Ajo ishte diku atje, midis gjimnazistëve të shumtë që kërkonin të binin në sy pas bankave të shkollës, por ende nuk e shihte njeri. Blici i aparatit fotografik kishte shkrepur mbi portretet e të paktën 150 vajzave të kryeqytetit, por Alma as që identifikohej mes tyre. Kur shpresat kishin humbur, krejt papritur ajo doli në skenë, pak e druajtur gjithsesi, por krejt e magjishme njëherazi…

Kjo ishte pak a shumë situata përpara fillimit të realizimit të filmit “I teti në bronz”, ku rastësia i dha kinemasë shqiptare një prej aktoreve më të mira të saj në vite. Operatori i mirënjohur, Ilia Terpini, “Mjeshtër i madh” rrëfen për “Shekullin” se si e zbuloi talentin e 15- vjeçares Yllka Mujo, të cilës iu besua roli i Almës në filmin e regjisorit Viktor Gjik

Mbi çfarë baze përzgjidheshin talentet e reja të cilave u besoheshin role në kinemanë shqiptare? Fillimisht mbi bazën e një fotografie. Pra, fotozhenia e pretendentit për aktor. Më pas bëhej dhe një kinoprovë, ku komponentët e përshtatjes fizike, figurës, zërit e interpretimit duhet të ecnin paralelisht? Kemi pasur shumë raste kur fotografia ka qenë shumë e mirë, por interpretimi nuk është ngritur asnjëherë në nivel.

Si fotograf e operator i Kinostudios, a keni zbuluar ndonjë aktor apo aktore që më tej ka pasur rezultate në fushën e kinemasë? Në të vërtetë ato janë disa, por unë mund të mburrem të paktën me tre prej tyre: Zhaklina Dhimojanin, Matilda Makoçin e Yllka Mujon.

Për cilin rol u përzgjodh Zhaklina Dhimojani? Për rolin e Mimozës tek “Mimoza Llastica”. Regjisorja Xhanfize Keko e kishte filmin e parë, dhe për këtë, mua si operator i filmit, më kërkoi ndihmë sidomos në gjetjen e “Mimozës”. Mbaj mend që Zhaklinën e kam parë të dilte nga shkolla, besoj duhet të ishte në klasën e parë, tek kryqëzimi i Tiranës së Re atje ku tani është monumenti i Uillsonit. Kishim kërkuar në gjithë Tiranën dhe nuk kishim ndeshur në një tip të tillë. Ishte një fëmijë shumë interesant dhe Xhanfizeja e pëlqeu shumë. Zhaklina e dha pritshmëritë e saj në atë film dhe pas kësaj pati disa role të tjera.

Ndalemi tek Yllka Mujo. Për çfarë roli bëhet fjalë? Është roli i Almës tek filmi “I teti në bronz” me regjisor të mirënjohurin Viktor Gjika dhe skenar të Dritëro Agollit, i cili nisi xhirimet në vitin 1969. Ne si grup pune kishim 20 ditë që po punonim për zbërthimin e skenarit tekniko –regjisorial.

Ishte marrë vendimi për të gjithë aktorët që do të interpretonin në film, që nga Sandër Prosi në rolin e mjekut dhe Mevlan Shanaj në rolin e Ibrahim Kovaçit e deri tek Vangjush Furxhi në rolin e Arifit. Por mungonte vetëm një, Alma.

Si do të përzgjidhej ajo? Fotografova të paktën 150 vajza nëpër shkollat e mesme të Tiranës dhe disa të tjera gjatë zhvillimit të një spartakiade që bëhej në atë kohë. Njëra prej tyre ishte shumë interesante dhe në fotografi ishte fotozhenike. Unë e njihja këtë vajzë. Nga të gjitha këto, Viktori pëlqeu një nga vajzat e spartakiadës, pikërisht atë që i rekomandova dhe unë. “Kjo është shumë interesante, – më thotë. – Si e quajnë?” “Pranvera Hoxha, – i them unë.

– Është vajza e Enver Hoxhës”. Viktori shtangu. “Bo, bo mo Ilia, – më thotë. – kjo është shumë interesante, por është bela ta marrim në grupin e xhirimit. Filmi do bëhet në Korçë, kjo po është në moshën e adoleshencës, po na lidhet me ndonjë djalë andej dhe ec e të merresh me udhëheqjen pastaj”.

Dhe u anulua pjesëmarrja e saj në film? Natyrisht që po. Madje Pranverën e takova pas disa ditësh dhe ajo më pyeti. “Çfarë u bë me filmin? Unë i mora leje babit dhe ai është dakord”. U zura ngushtë dhe ia ktheva: “Po kërkojmë akoma se nuk e kemi gjetur Almën”.

Por si u gjet Alma e vërtetë? Në fakt Alma u gjet disa ditë më vonë, kur unë i propozova Viktor Gjikës një tjetër fotografi të një studenteje nga Lushjna. “Në rregull, – tha Viktori, – kjo do të jetë Alma”. Mirëpo unë nuk isha shumë i sigurt për këtë gjetje dhe sërish i sugjerova regjisorit të kërkonim një ‘Almë’ tjetër.

Editor

Read Previous

Kujtojmë Viktor Gjiken, regjisorin e madh shqiptar / Historia e tij e jetës

Read Next

“Isha refugjat në Greqi, u ktheva emigrant në Tiranë”, deklarata e Arben Shakës

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *